Vizitën e parë jashtë vendit si ministër i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj e ka zhvilluar në Bukuresht të Rumanisë, vendi që ka presidencën e radhës të BE. Në takimin dyditor te ministrave të Jashtëm, sipas zotit Caka u rikonfirmua mbështetja për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Ky takim ofroi edhe një mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e një vargu takimesh bilaterale me homologët e vendeve të ndryshme të Bashkimit Europian, me c’rast patëm mundësinë të komunikojmë rezultatet kryesore të reformave të arritura në Shqipëri dhe natyrisht, domosdoshmërinë e hapjes së negociatave në qershorin e këtij viti. Kemi diskutuar për ecurinë e procesit të screening, me c’rast kemi marrë një notë skajshmërisht pozitive për veprimtarinë e deritashme të institucioneve të Shqipërisë në procesin e përafrimit të legjislacionit dhe në fund po ashtu kemi diskutuar për domosdoshmërinë e thellimit të komunikimit politik për të arritur objektivin e synuar”, tha ai.

Gjate qëndrimit në Bukuresht Cakaj pati takime me ministrin rumun të Shtetit për Çështjet Evropiane, me Kryetarin e Komisionit të Senatit për Politikën e Jashtme si dhe Zëvendës Presidentin e Dhomës së Deputetëve.

Top Channel