Alternativa ekonomike e PD, Tabaku: Për një Shqipëri me mundësi, liri dhe vlera

02/02/2019 11:35

Një ditë më parë, kreu i PD, Lulzim Basha zhvilloi një takim me sipërmarrës vendas dhe të huaj që operojnë në Shqipëri ku prezantoi alternativën për zhvillimin ekonomik, duke paralajmëruar edhe anulimin e kontratave të paligjshme koncensionare.

Ndërkohë që Jorida Tabaku përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shprehet se kryetari Partisë Demokratike ka takuar për mbi katër vjet thuajse çdo biznes të mundshëm, ka debatuar dhe diskutuar për çdo ndryshim fiskal, numërohen mbi 60 të tilla, të qeverisë.

“Shqipëria nga janari 2014 është gdhirë një vend i mbushur në taksa dhe tarifa të reja.Shqiptarët janë sot një popullsi që nuk ka dëshirë të sipërmarrë biznese, inovacione por vetëm sipërmarrjen për emigrim. Rreth 400 mijë kanë tentuar apo janë larguar nga Shqipëria.
Kemi ngritur zërin në replika të dhunshme dhe brenda kufirit të debatit për politikat fiskale dhe ekonomike. Pra, kemi ezauruar çdo dije dhe normë diskutimi përballë një muri që nuk do të marrë dhe as pranojë gabimet”, shkruan ajo.

Më tej Tabaku shton se kemi vënë re se si sistemi fiskal është konvertuar në armën me të cilën qeveria godet biznesin në kurriz ndërsa përkëdhel vetëm një grup të vogël biznesësh që kanë krijuar monopol në treg.

“Ata që sot ne të gjithë i njohim si oligarkët.Janë pikërisht këto politika fiskale që kanë rritur taksat dhe tarifat për 97% të shqiptarëve që paguajnë 1.9 mld euro”. thotë Tabaku.

Sipas deputetes demokrate, si opozita mendon FMN edhe për detyrimet e prapambetura që janë 200 mln euro.

“Kjo është gjendja e rënduar dhe e mjeruar që vendi ndodhet sot e kësaj dite. Për shumë kohë, shumë qytetarët kanë ngritur vetullën e dyshimit karshi ofertës së opozitës. Karshi asaj që ne, një forcë e djathtë, do të ofronim për gjithë plagët e krijuara rishtaz apo të thelluara nga kjo qeveri? Përgjigjen e kësaj pyetje ne do të nisim ta japim që sot përmes programit tonë ekonomik. Mos mendoni që është thjesht një ofertë taksash, pra një taksë e sheshtë. Çfarë ne sot ju propozojmë është shumë më tepër se sa kaq”, shkruan Tabaku.

Por pasi ka bërë një panoramë të situatës ekonomike të vendit, sipas këndvështrimit të saj. Deputetja demokrate, Jorida Tabaku ka vijuar statusin e saj duke theksuar se PD beson që shqiptarët në kushtet e mundësive të barbarata, në kushtet e një tregu të vërtetë nuk kanë përse të ngopen me propagandën e “Punës që është por që mungojnë specialistët”.

“Ju ofrojmë vizionin tonë për ekonominë përballë së cilës keni katrahurën e oligarksisë së përzier me gjoja politikë ekonomike të kësaj qeverie. Ju ofrojmë alternativën e tregut të lirë ndërsa përballë keni një qeveri që ju ofron tregun e vilmave, zamirëve, bashkimëve, ahmetajve, gjiknurëve, ramave. Ne ju ofrojmë atë çfarë kjo qeveri ka më shumë frikë; lirinë tuaj për sipërmarrje, subvencionimin për vizionin tuaj inovator. Besoj se ka ardhur koha që të mos shtyhemi për t’u larguar nga ky vend një për e më parë. Ka ardhur koha që të luftojmë për të shtyrë të largojmë këtë qeveri nga kolltuku i pushtetit dhe abuzimit një sekond e më parë”, përfundon statusi i Tabakut.

Top Channel