Familja Fiska, nga Roshniku i Beratit, mori certifikatën e parë për zhvillimin e agroturizmit në kuadër të programit “100 fshatra”.
“Këtu është shembulli më i mirë që kemi dhënë 80 mijë dollarë si bashkëfinancim për transformimin, jo si kredi, por dhuratë në mbështetje të një projekti”,tha Rama.
Për kryeministrin Rama, kush investon në agroturizëm garanton jo vetëm zhvillimin e zonës, por edhe një ekonomi të qëndrueshme financiare.
“Subjektet trajtohen në mënyrë speciale nga shteti, si hotelet me 5 yje. Me TVSH 6 për qind, me tatimfitimi 5 për qind, më i ulëti në rajon, me mbështetje të drejtpërdrejtë financiare, si dhe prespektivë të padiskutueshme”, u shpreh më tej Rama.
Pronat e paregjistruara nuk do të përfitojnë asnjë mbështetje nga projektet e BE-së dhe as nga shteti, paralajmëroi kryeministri.
“Çështja është si do të thithim ato parà, se duhen projekte të shkruara mirë. S’të jep kokërr leku BE-ja nëse s’ke projektin e duhur dhe dokumentetet e duhura. Jo si ajo që pashë në Lezhë: Shesim tokë pa letra. Shesim hall pa letra! Këtu vijmë te çështja tjetër e regjistrimit të tokës”, tha Rama.
Në Berat, kryeministri u ndal edhe në Ambulancën e Guriçanit, në Njësinë Administrative Kutalli, e cila i është nënshtruar rehabilitimit të plotë, duke përmirësuar shërbimin për rreth 2.400 banorë të zonës.
Top Channel