Mosmarrëveshjet midis individëve dhe ndërtuesve janë kthyer në një fenomen shqetësues dhe me pasoja të rënda ekonomike, për shkak të vlerave të konsiderueshme që kanë objektet që nuk merren në dorëzim sipas kontratave.

Ky fenomen reflektohet edhe në Dhomën Penale të Gjykatës së Tiranës, ku janë të shumta çështjet që kanë si të pandehur ndërtues të ndryshëm, për akuzën e “mashtrimit me pasoja të rënda”. I tillë është edhe rasti i Ibrahim Bajramajt, i cili i ka dhënë mbi dy dynym tokë, buzë rrugës kryesore në Kamëz, një ndërtuesi, e pretendon se nuk ka marrë apartamentet dhe dyqanin që është caktuar në kontratën e sipërmarrjes.

“I kam dhënë 2 dynym e 100 metra tokë Ardian Sinanit, në vitin 2013. Ai duhej të më jepte 24 për qind të ndërtimit, 3 apartamente dhe një dyqan. Apartamentet edhe dyqanin tim i ka shitur dhe për këtë arsye e denoncova, e aktualisht jemi në gjyq me të”, tha Ibrahim Bajramaj.

Aktualisht, ndërtuesi Ardian Sinani është në gjykim në Gjykatën e Tiranës për akuzën e mashtrimit. Por, i kontaktuar me telefon nga Top Channel dhe i ballafaquar me palën paditëse, ai nuk ka pranuar të prononcohet para kamerës.

Ai pretendon se i ka vënë në dispozicion pronarit të tokës pjesën e ndërtimit që i takon, por kjo pjesë është refuzuar të merret prej tij, pasi ka pretendime mbi vendndodhjen e apartamenteve në objekt.

Gjithashtu, ndërtuesi pranon që apartamentet që duhej të merrte pronari i tokës te godina e përfunduar jane shitur, pasi pronari i tokës nuk kishte lidhur kontratën. Ndërsa pronari i tokës pretendon nga ana tjetër se kanë vajtur së bashku me avokatin te noteri, por nuk ka ardhur ndërtuesi Sinani.

Tanimë do të jetë gjykata, ajo që do të vendosë për zgjidhjen e këtij konflikti, që është i pranishëm edhe në shumë raste të tjera mes ndërtuesve dhe klientëve të ndryshëm.

Top Channel