“Një numër i vogël studentësh kanë marrë në zotërim ambientet ku zhvillohet procesi mësimor, por veç tyre ka të tjerë që janë më të shumtë në numër, në raport me studentët tanë që vijnë nga Fakultetet e tjera, ose persona që s’kanë lidhje fare me arsimin e lartë”.

Ky ishte shqetësimi i dekanit të Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha, gjatë konfrontimit të studentëve me njëri-tjetrin disa ditë më parë, sesi mjediset e Juridikut nuk janë vetëm në duart e studentëve të tij.

Pavarësisht se procesi mësimor për studentët e Juridikut është transferuar në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, ambientet e Fakultetit vijojnë të jenë të bllokuara. Por, kush e ka bllokuar hyrjen në rrugën e drejtësisë?

Jo vetëm studentë të këtij Fakulteti.

Ju nuk jeni studente e juridikut?

“Ku e dini ju që nuk jemi? Jo, mua më njohin…po pra vijnë na bashkohen”, tha një studente.

Ana, studentja e Politeknikut që u përball me kryeministrin Rama gjatë dëgjesës në Fakultet, i është bashkuar ngujimit të studentëve të Juridikut.

Gjithashtu edhe Doriani, studenti i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, që riktheu më 23 janar protestën para Ministrisë së Arsimit, kjo pasi Fakultetet e tyre kanë nisur programin mësimor.

Dorian Beqiri është nga Bubullima e Lushnjes, anëtar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Një nga protestuesit që qëndroi për ditë të tëra edhe para Kryeministrisë. Vetë studentët treguan se, mes të ngujuarve ka të rinj nga forumet partiake.

Fakulteti i Drejtësisë, – shprehen ata, – “është kështjella që mban të gjithë studentët”, të cilët do të çojnë kauzën studentore deri në fund.

Top Channel