I ftohti polar që ka gjunjëzuar “Midwest”-in amerikan me temperatura ekstremisht të ulëta, fajësohet për të paktën 12 vdekje. Zyrat shtetërore në Michigan u mbyllën për një ditë.

Banorët që mburreshin se i bënin ballë pa frikë dimrave të egër, tani nuk guxojnë të dalin nga shtëpitë, ndërsa autoritetet përsërisin paralajmërimet për rrezikun e madh të aksidenteve në rrugët e mbuluara nga akulli.

Miliona amerikanë po përjetojnë ato që mund të jenë ndoshta temperaturat më të ulëta të regjistruara ndonjëherë, ndërsa fronti i ftohtë arktik është duke u përhapur në të gjithë vendin.

Tragjik ishte rasti i një studenti nga Ioëa, Gerald Belz, që u gjet pa ndjenja në të ftohtë jashtë ndërteses së konviktit, e më pas ndërroi jetë në spital. Mjekët thanë se moti ishte një nga faktorët kryesorë të vdekjes së 18-vjeçarit.

Me termometrin që shënoi -32 gradë Celsius, Chicago theu rekordin e saj të vitit 1985, duke shtyrë banorët të flisnin për një situatë edhe më keq sesa në Siberi.

Illinoisi, Michigani dhe Wisconsin kanë shpallur ndërkohë gjendjen e jashtëzakonshme. Mijëra fluturime janë anuluar, shkolla e universitete janë mbyllur, e në disa zona është pezulluar dhe shërbimi postar. Megjithatë, shtetet jugore si Florida u kanë shpëtuar deri tani ngricave që ka sjellë me vete “vorbulla polare”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA