Një numër i madh yjesh kanë kërkuar që festivali i këngës “Eurovision” të mos mbahet në Izrael, edhe pse rregullat e diktojnë që të ndodhë kështu, për shkak se shteti hebre ishte fituesi i edicionit të vitit të kaluar.
Emra të njohur, si Dame Vivienne Westwood, Peter Gabriel dhe Wolf Alice janë në mesin e 50 krijuesve dhe artistëve që kërkojnë zhvendosjen e garës.
Duke përmendur shqetësimet mbi të drejtat e njeriut, ata kanë vënë firmat e tyre në një letër të hapur, që e nxit BBC-në të kërkojë nga organizatorët që konkursi të zhvillohet diku tjetër.
“Eurovision”-i mund të jetë argëtues, por nuk përjashtohet nga vëmendja për të drejtat e njeriut, thuhet aty.
Por, BBC-ja u përpq të tregonte se nuk e dëshiron përfshirjen në këtë situatë.
“Nuk është e përshtatshme të përdorësh pjesëmarrjen e BBC-së për arsye politike”, thuhet në përgjigjen e gjigantit mediatik.
Gara e përvitshme duhet të zhvillohet në Tel Aviv, në muajin maj, pas triumfit të këngëtares izraelite Netta në vitin 2018. Zakonisht, vendi fitues i festivalit është ai që organizon dhe konkursin pasues.
Por, grupi i artistëve thotë se shkeljet sistematike që Izraeli iu bën të drejtave të njeriut ndaj palestinezëve, thjesht nuk mund të injorohen, ndërsa BBC-së i kujtuan statutin e saj në mbrojtje të lirisë së shprehjes.
Top Channel