Një valë e të ftohtit polar është përplasur mbi zona të tëra të Shteteve të Bashkuara, duke sjellë ngrica, që për meteorologët mund të përjetohen vetëm një herë në një gjeneratë.
Gjatë ditëve në vazhdim, sipas ekspertëve, në Midwest termometri mund të zbresë ndjeshëm. Gjashtë vetë kanë humbur jetën deri tani, ndërsa i gjithë rajoni dridhet, siç thonë mediet e huaja.
Raporte të ndryshmë tregojnë se në Chicago, temperaturat mund të shkojnë deri në -28 gradë Celsius, ndërsa erërat e ftohta rrezikojnë ta bëjnë të ndihet si minus -45 gradë. Edhe pse banorët atje janë mësuar me dimra të ashpër, ky front i acartë do të jetë sfidues edhe për më të kaliturit.
Qytete të tëra po mbyllen në Midwest prej të ashtuquajturës “vorbulla polare”, thotë BBC. Fenomene të tilla zakonisht vihen re në Polin e Veriut, por një ngrohje e papritur e tij, prej një vale ajri të ngrohtë nga Maroku, bëri që vorbulla të zhvendosej në jug, drejt SHBA-ve.
Ngricat pritet të prekin 250 milionë amerikanë dhe 90 milionë prej tyre do të përjetojnë temperatura nën zero. Ndërkohë, disa pjesë të Europës, e sidomos Franca, do të përballen me shira të dhunshëm, dëborë dhe erëra të forta, për shkak të stuhisë “Gabriel”, që po lëviz në perëndim të kontinentit të vjetër.
Top Channel