Merkatoja e futbollit europian regjistroi një rekord të ri për vitin 2018, duke kaluar shifrën e 7 miliardë dollarëve të shpenzuara për lëvizjet anembanë globit.
Në raportin e fundit që publikoi FIFA, bie në sy se janë finalizuar 16.533 lëvizje në sportin më popullor të planetit për vitin që sapo lamë pas, me shifra të frikshme që e kanë kaluar me 10% shumën e vitit 2017.
Në analizën e detajuar të “Global Transfer Market”, futbollistë të 175 kombësive të ndryshme provuan fanella të reja në vitin 2018. Por, “pjesa e luanit” mes të gjitha lëvizjeve iu takon vetëm 31 klubeve, që së bashku përfaqësojnë gjysmën e 7 miliardë dollarëve të shpenzuara në rang global.
Sigurisht, në numrat që tregojnë lëvizjet e fuqishme dhe financat që gjeneron futbolli, skuadrat e regjistruara në UEFA kanë fjalën kryesore.
Klubet europiane kanë xhiruar 78.2% të shumës totale, ndërsa Franca është ajo me rritjen më të madhe, pasi skuadrat transalpine kanë shtuar 467 milionë dollarë më shumë sesa viti paraardhës. Mes të dhënave bie në sy edhe rritja domethënëse e Arabisë Saudite, që për çudi ngjitet në vendin e 7 në botë ndër kampionatet me më shumë shpenzime.
Numra interesantë edhe në futbollin e femrave, me 696 transferime të lojtareve nga 72 shtete të ndryshme. Në këtë kategori u shpenzuan në total rreth 600 milionë euro.
Top Channel