Kartat e identitetit që skadojnë këtë vit do të jenë të vlefshme deri në fund të 2019-ës.

Ministri i punëve të Brendshme Sander Lleshaj dhe kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj e dhanë këtë lajm gjatë një vizite në zyrat e reja për rinovimin e kartës së identitetit për banorët e Njësisë 3 dhe 4 që do të funksionojnë me 8 sportele.

“Është rezultat i një pune intensive që është bërë ditët e fundit, për të rritur kapacitetet e prodhimit për kartat e identitetit edhe në prag të zgjedhjeve, por edhe për të përballuar fluksin e madh, i cili lidhet me skadimin e një numri shumë të madh kartash, të cilat janë prodhuar pothuajse në të njëjtën kohë në vitin 2009”, u shpreh Lleshaj.

“T’i japim prioritet të moshuarve dhe atyre që mund ta kenë shumë të nevojshme pasjen e kartës së identitetit për udhëtime jashtë vendit ose për dokumente të tjera. Përsa i përket nevojave brenda Shqipërisë, vlefshmëria e kartës, pavarësisht datës do të jetë deri në 31 dhjetor 2019. Kështu që, qoftë për votimet, apo edhe për nevoja të tjera, pensionet, apo çështje që kanë të bëjnë me autoritetet vendore apo qendrore të Shqipërisë, vlefshmëria është deri në 31 dhjetor”, tha Veliaj.

Zyra të reja do të hapen në të gjithë Tiranën për të lehtësuar fluksin në një shembull që pritet të ndiqet edhe nga qytete të tjera. Kryetari Veliaj tha se qytetarët e Tiranës nuk do të duhet të presin më në radhë për t’u pajisur me kartën e identitetit dhe se shërbimet do të ofrohen edhe të dielën.

Top Channel