Irlanda ka alarmuar Komisionin Evropian se do të kërkojë ndihmë urgjente në rast të një Brexiti pa marrëveshje dhe po shqyrton një sërë mënyrash të tjera për të ndihmuar kompanitë të përballen, tha të martën kryeministri Leo Varadkar.

Me lidhje të ngushta tregtare me Britaninë, ekonomia e përqendruar në eksport e Irlandës, konsiderohet më e prekshme midis 27 anëtarëve të tjerë të Bashkimit Evropian, nga ndikimi i largimit të fqinjit të tij më të afërt, nga blloku.

Departamenti i Financave i Irlandës parashikoi më parë të martën se rritja ekonomike mund të jetë 4.25 pikë përqindje më pak se parashikimi, duke filluar nga viti 2023, në rast të një Brexiti të çrregullt dhe do të godasë në mënyrë disproporcionale mallrat bujqësore dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Varadkar tha muajin e kaluar se Dublini po diskutonte me Komisionin se çfarë ndihme shtetërore mund të jetë në dispozicion, nëse Britania e braktis bllokun pa një marrëveshje dhe konfirmoi të martën se e kishte informuar Brukselin se një kërkesë e tillë do të ishte e afërt.

“Qëllimi i kësaj ndihme do të ishte të ndihmonte në përballimin e ndikimit në tregtinë irlandeze, veçanërisht për sektorët e mishit, qumështit dhe peshkimit”, tha Varadkar në tekstin e një fjalimi që do të dorëzohej në mbledhjen e përgjithshme vjetore të Shoqatës së Fermerëve Irlandezë.

Mbështetje të tjera të jashtëzakonshme të BE-së në dispozicion, në rast të shqetësimeve serioze të tregut bujqësor që shtetet baltike përdorën kur tregu rus u mbyll për ta, “mund të përdoret edhe për ne”, shtoi Varadkar.

Ai tha se qeveria ka qenë e angazhuar në këto çështje me Komisionerin e Bujqësisë të BE, Phil Hogan, një ish ministër i qeverisë irlandeze dhe anëtar i partisë së Fine Gael, të Varadkar.

Ndihma e brendshme gjithashtu do të mund të vihej në dispozicion të fermerëve, me Varadkar që ka thënë se kabineti i tij diskutoi për sigurimin e fondeve për ruajtje, grante ristrukturimi dhe ndihma të tjera shtetërore në takimin e tij javor të martën.

“Unë mund t’ju siguroj se Irlanda po kërkon çdo ndihmë të mundshme”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA