Bllokohen asetet e Guaidos; Venezuelë, vendimi për liderin e opozitës nga Gjykata Supreme

30/01/2019 08:51

Gjykata supreme në Venezuelë ka urdhëruar ndalimin e daljes nga vendi të liderit të opozitës Juan Guaido, si edhe ka ngrirë llogaritë e tij bankare.

Lëvizja vjen në mesin e përshkallëzimit të përplasjes së pushtet, pasi Guaido shpalli veten president në detyrë, javën e shkuar.

Ai është mbështetur deri më tani nga SHBA dhe vende të tjera, përfshirë Shqipërinë, ndërsa Nikolas Maduro në anën tjetër ka aleatë të rëndësishëm, mes të cilëve edhe Rusinë.

Opozita ndërkohë i ka kërkuar mbështetësve të saj të marrin pjesë në një protestë paqësore dy orëshe, gjatë ditës. Nuk dihet nëse vetë Guaido do të marrë pjesë në protestë apo jo.

Një grup vendesh nga Amerika e Veriut dhe e jugut kanë kundërshtuar ndërkohë një përfshirje ushtarake të jashtme në vend.

Ministri i jashtëm i Perusë, i tha grupit Lima, ku bëjnë pjesë 14 shtete amerikane, mes të cilëve edhe Kanadaja, se duhet të gjendet një zgjidhje paqësore për Venezuelën, duke kundërshtuar një ndërhyrje ushtarake.

Zyrtarët amerikanë ndërkohë kanë thënë se të gjitha opsionet për zgjidhjen e krizës, janë në tryezë. Venezuela ndërkohë përballet me probleme ekonomike akute dhe javët e fundit është regjistruar edhe një rritje e dhunës.

Protesta janë mbajtur në të gjithë vendin, që kur Maduro nisi mandatin e tij të dytë, më 10 janar. Ai u rizgjodh vitin e kaluar në zgjedhje që u kontestuan jo pak, ku shumë kandidatë të opozitës u ndaluan të kandidonin apo u burgosën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA