Ligjvënësit britanikë votuan kundër propozimit për të vonuar Brexit-in në mënyrë që të parandalohet shkëputja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja pa një marrëveshje.
Amendimi i propozuar nga laburistja Yvette Cooper u refuzua me 23 vota. Deputetët britanikë po votojnë për një seri ndryshimesh të Marrëveshjes Brexit që kryeministrja Theresa May arriti pas negociatash të gjata e të mundimshme me bllokun europian.
Por, përballë rezistencës së fortë që ka hasur në Parlament, shefja e ekzekutivit u detyrua të bënte një hap prapa e të deklaronte përpara nisjes së votimit se do të përpiqej të arrinte disa ndryshime në paktin me BE-në.
“Sot ne mund dhe duhet të përqendrojmë të gjitha përpjekjet për të siguruar një marrëveshje të mirë me BE-në që të na mundësojë të largohemi në mënyrë të qetë dhe të rregullt më 29 mars”, deklaroi May.
Një nga propozimet lidhet me atë që konsiderohet si një prej shqetësimeve më të mëdha të atyre që kundërshtojnë marrëveshjen. Ata nuk pranojnë një dispozitë e cila e mban Britaninë në një bashkim doganor me Bashkimin Evropian, për të siguruar një kufi të hapur midis Irlandës së Veriut dhe anëtares së BE-së, Irlandës.
Partia konservatore e zonjës May po mbështet tani ato që ajo i quan “masa alternative” për të kapërcyer shqetësimet rreth lidhjes së politikave të Britanisë me rregullat e BE-së.
Top Channel