Bllokimin e mësimit në disa fakultete të kryeqytetit, Qeveria e cilësoi si një “pengmarrje” me prapavijë politike.

“Ajo që ka mbetur nga protesta është një karikaturë e protestës, me angazhimin e drejtpërdrejtë të PD-së, LSI-së dhe vet Sali Berishës, i cili është i angazhuar me disa segmente së bashku brenda universitetit. Kjo është një shfaqje ekstreme e brutalitetit të një opozite, që nuk ka asnjë vizion, ide dhe as lidership, e që është gati të bëjë mish për top këdo, për të shfryrë dëshpërimin e vet të pangushëllueshëm”, tha Elisa Spiropali, ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Ministrja Spiropali, njëherësh zëdhënëse e Qeverisë, tha se ligji për Arsimin e Lartë nuk e lejon ndërhyrjen e ekzekutivit.

“Ligji nuk i jep mundësi Qeverisë të ndërhyjë me forcë për të zhbllokuar mjediset universitare, por nga ana tjetër, ligji ngarkon titullarin, pra rektorin, që të garantojë procesin mësimor dhe të kërkojë ndërhyrjen e policisë”, u shpreh më tej Spiropali.

Qeveria i rikujtoi Rektoratit se garantimi i procesit mësimor është jo vetëm e drejtë, por edhe detyrë e universitetit.

Top Channel