E vetëdijshme për rrezikun e një disfate tjetër në Parlament, kryeministrja britanike Theresa May bëri një hap prapa.
Shefja e ekzekutivit britanik u tha ligjvënësve se do të kërkojë rinegociimin e marrëveshjes së “Brexit”-it që arriti me Bashkimin Europian, e fokusi do të jetë pikërisht pika më e debatuar e saj, kufiri me Irlandën e Veriut.
May thotë se duhet të kthehet në Bruksel për të siguruar “një ndryshim të rëndësishëm dhe ligjërisht detyrues” të propozimit polemizues, i cili synon të ndalojë rikthimin e kontrolleve kufitare.
BE-ja e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend ta ndryshojë draftin ligjor, për të cilin është rënë dakord me kryeministren britanike. May, megjithatë, beson se mund ta sigurojë ndryshimin.
“Negociatat nuk kanë për të qenë të lehta. Bëhet fjalë për rishikimin e marrëveshjes së largimit, një masë për të cilën e di se nuk ka oreks të madh në radhët e partnerëve tanë europianë, por unë besoj se, me një mandat nga kjo dhomë mund ta siguroj një ndryshim të tillë përpara shkëputjes sonë nga BE-ja”, tha May.
Rebelët e “Brexit”-it, që e rrëzuan marrëveshjen e Mayt muajin e kaluar, kanë treguar se edhe mund ta mbështesin pjesën tjetër të paktit Angli-BE, nëse ajo arrin të sigurojë ndryshimet ligjore për të ashtuquajturin “backstop”, apo mekanizmin mbrojtës për moskrijimin e një kufiri të Republikës së Irlandës me Irlandën e Veriut.
“Backstop”-i do të duhej të ishte i pakufizuar dhe sipas tij, nëse BE e Britania e Madhe nuk ia dalin të mbyllin një marrëveshje tregtare në fazën e tranzicionit pas shkëputjes, atëherë Anglia mbetet në unionin doganor të BE-së dhe Irlanda e Veriut po ashtu në tregun e brendshëm europian.
Top Channel