Gjatë vizitës së tij në Shkodër, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua edhe me një grup studentësh dhe gjimnazistësh të këtij qyteti.

“Grupi Parlamentar i PD mori dje një vendim; akti i parë që qeveria e Partisë Demokratike do të ndërmarrë, është anulimi i Ligjit për Arsimin e Lartë. Kur Ligji kaloi ne e kundërshtuam në Parlament. Ne e konsiderojmë këtë ligj, rrënjën e së keqes, që ka zaptuar universitetet, rrënjën e të keqes nga e cila po vuajnë studentët shqiptarë”, u shpreh Basha,

Më tej ai theksoi se “Me këtë ligj korruptiv nuk bëhet gjë tjetër veçse thellohet politika e vetme e Edi Ramës, merri shumicës, jepi pakicës. Në këtë rast vjedhja bëhet edhe më e dhimbshme, sepse tarifa për bachelor dhe master në Shqipëri, është më i larti në Europë. Cilësia është me dobëta në Europë, nga më e dobëta në botë. Jeta universitare kontrollohet nga një grusht njerëzish për interesa politike dhe korruptive financiare”

E teksa premtoi se anulimi i Ligjit për Arsimin e Lartë do të jetë akti i parë që qeveria e Partisë Demokratike do të ndërmarrë, Basha vlerësoi se kjo nuk mjafton.

“Ne duhet të nisim tani punën për hartimin e një ligji të arsimit të lartë, të standardeve dhe parimeve europiane”, tha ai.

Top Channel