Publikimi i dosjes së Bujar Sheshit, si ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit me pseudonimin “Venusi”, rihapi debatin se kush janë spiunët në administratën e lartë shtetërore.

Kryetarja e Autoritetit të hapjes së dosjeve, Gentiana Sula tregoi se janë të paktën 30 ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, aktualisht zyrtarë të lartë.

“Autoriteti, në dy vite ekzistencë ka verifkuar të paktën 1.500 figura. Rreth 30 janë gjetur me probleme. Në asnjë rast nuk ka agjendë politike tek ne, nuk ka asnjë agjendë apo koordinim, absolutisht asgjë”, tha Gentiana Sula.

Por, jo vetëm zyrtarë të administratës. Me probleme kanë rezultuar edhe 4 njerëz të drejtësisë.

“Për organet e larta të drejtësisë kemi verifikuar rreth 550 figura dhe 4 prej tyre janë gjetur me probleme”, tha Gentiana Sula.

Në organet e reja të drejtësisë punon edhe Bujar Sheshi, nën akuzë si ish-bashkëpunëtor i Sigurimit, i cili kallëzoi penalisht Autoritetin e dosjeve për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh”.

“Jemi të hapur për hetime. Dosja është shteruese”, tha Gentiana Sula.

Në padinë e tij, Bujar Sheshi thotë se, të dhënat e Autoritetit të dosjeve janë të rreme, pasi ai nuk është personi që pretendohet në dosje. Për një sqarim më shterues, kryetarja e hapjes së dosjeve thirri në ndihmë sekretarin e Autoritetit.

“Kemi verifikuar gjeneralitetitet dhe janë të njëjta”, tha sekretari.

Prokuroria e Tiranës vendosi nisjen e një hetimi pas padisë së prokurorit Sheshi. Në debatin me ish-spiunë nuk mbeti jashtë as politika. Komisioni i Monitorimit të Reformës në Drejtëso i rekomandoi Komisionit të Ligjeve të thërrasë në seancë dëgjimore Autoritetin e dosjeve për hedhur dritë mbi rastin, por kryetari Ulsi Manja bëri të qartë se nuk e ka me ngut.

“S’kemi ndërmend të bëjmë seancë dëgjimore me Autoritetin e dosjeve, por do të kemi pyetje kur të vijë për raportin vjetor. Kuvendi nuk do të bëjë asgjë, për sa kohë çështja është në gjykatë”, tha Ulsi Manja.

Top Channel