24 orë para se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të japë vendimin për konfirmimin apo jo në detyre të Donika Prelës, demokratët i kërkuan komisionerëve të vettingut të verifikojnë dy informacione të reja për Drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

“Së pari, të konfirmojë që Donika Prela, në konflikt të hapur interesi, është takuar gjatë periudhës që ishte nën veting me anëtaren e trupës së vetingut, Valbona Sanxhaktari. Për lehtësi pune, i sugjerojmë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të kërkojë kamerat e Sigurisë së Prokurorisë së Krimeve të Rënda në muajt nëntor dhjetor”, u shpreh Alibeaj.

Dyshimi i dytë i fortë për të cilën demokratët kërkuan verifikime ishte nëse Donika Prela ishte kapur ne përgjime me bandën e Avdylajve.

“A është Donika Prela pjesë e dosjes 339, e kapur në përgjim me bandën e Avdyljave duke biseduar me kreun e bandës Astrit Avdylaj? Përgjimet e dosjes 339 janë bërë në kohën kur Donika Prela drejtonte Prokurorinë e Durrësit dhe Astrit Avdylaj u arrestua për armëmbajtje pa leje, por më pas u lirua si i pafajshëm”, tha Alibeaj.

Vendimi për Donika Prelën do të shpallet më 29 janar. Komisonierët e Vettingut konstatuan në seancën dëgjimore ndaj shefes së Prokurorisë së Krimeve të Rënda problem me pasurinë dhe shmangien e taksave nga bashkëshorti i Donika Prelës, fakt që la shije të hidhur edhe tek vëzhguesi i ONM.

Top Channel