Teksa në fakultetet e tjera, e hëna i gjeti studentët në mësim, në javën e tretë të bllokimit të dyerve në në Fakultetin e Drejtësisë, studentët u konfrontuan me njëri-tjetrin.

Ngujimi i një grupi studentësh brenda fakultetit u vu përballë pjesës tjetër të studentëve të cilët duan të fillojnë mësimin. Përplasja vijon ende në Fakultetin e Drejtësisë. Ky ngërç nuk ka marrë zgjidhje as nga rektori i UT-së, Mynyr Koni, e si rrjedhojë dekani i Fakultetit, Artan Hoxha i ka adresuar Ministrisë së Arsimit kërkesën për mundësimin e disa ambienteve të tjera për zhvillimin e procesit mësimor.

“Rektori nuk na është përgjigjur. Unë e marr, por nuk kam komunikim me të, kurse administratori është lidhur me Ministrinë e Arsimit. Unë vet kam folur me ministren dhe po shikojmë mundësinë që ambiente të tjera të na vihen në dispozicion, me qëllim që të zhvillohet programi mësimor”, tha Artan Hoxha.

Pritet që ditën e martë, Ministria e Arsimit të ketë siguruar ambiente jashtë Universitetit të Tiranës, për të kthyer në normalitet situatën për studentët e Juridikut.

Top Channel