Fiks Fare ndoqi në një ditë të zakonshme një përdorues të lëndëve narkotike, i cili tashmë është bërë i varur nga përdorimi i heroinës, që nga viti 1997. Sipas tij, heroina në Tiranë dhe rrethe blihet brenda dhe jashtë shkollave.

Bashkëpunëtori dhe grupi i Fiks Fare shkuan në disa pika në Tiranë dhe në Korçë, duke kërkuar heroinë në mes të ditës. Rezultatet ishin befasuese; heroina shitej lirshëm. Në dy nga tre raste që dokumentoi Fiks Fare në Tiranë, heroina shitej afër shkollave 9-vjeçare.

Bashkëpunëtori i Fiks Fare tha se në te gjitha zonat e Tiranës ka pika ku shitet heroina, që dihen nga përdoruesit. Ai, i shoqëruar nga grupi i emisionit, shkuan në disa nga këto pika në kryeqytet.

Në rastin e parë, bashkëpunëtori shkoi në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Gjon Buzuku”, ku pasi takon një përdorues, të dy shkuan të blejnë lëndën narkotike.

Në rastin e dytë, bashkëpunëtori shkoi në afërsi të shkollës “Pjetër Budi”, ngjitur me Gjykatën e Tiranës, ku i paguan 20 mijë lekë shpërndarësit dhe merr dozat pranë dy institucioneve.

Në rastin e tretë, bashkëpunëtori shkoi në afërsi të zonës Ali Demi, ku në mes të rrugës, kundrejt shumës 30 mijë lekë, mori 2 doza heroine.

Përveç 3 rasteve në Tiranë, ku heroina u sigurua fare lehtë, edhe në Korçë bashkëpunëtori i Fiks Fare e siguroi drogën me po kaq lehtësi. Pa asnjë numër kontakti, te Drejtoria e Higjienës, ku përdoruesit shkojnë për të marrë metadonin, bashkëpunëtori bisedoi me një person dhe brenda pak minutash, duke lëvizur në Korçë, u arrit të gjendej heroina.

Top Channel