Situata financiare e Flamurtarit mbetet në një pikë të diskutueshme dhe të interpretueshme, sa nga administratori Sinan Idrizi, ashtu dhe nga lojtarët, që prej muajsh flasin nën zë, pasi me deklarata publike gjobiten nga klubi.
Por, në një intervistë për Top Channel, administratori i klubit vlonjat mohon krizën, duke treguar mënyrën sesi janë paguar lojtarët.
“Situata e klubit është në kufijtë e normales në syrin tim. Në gusht, 80 për qind e ekipit ka marrë 30 për qind paradhënie. Pra, për Vitin e Ri, Flamurtarit i janë shpërndarë 50 mijë euro shpërblim. Ne kemi vonesa rreth një muaj e gjysmë ose dy në pagesat e lojtarëve, në pjesën më të madhe të tyre”, tha administratori Sinan Idrizi.
Ndërkohë Sinan Idrizi garanton edhe njëherë se gjithçka do të vazhdojë normalisht me financimin e klubit për këtë sezon.
“Pyetja, nëse ka financa apo s’ka Flamurtari, është një pyetje për të cilën, ne që mbajmë përgjegjësi te Flamurtari i dalim për zot. Nga ana tjetër, gjej rastin që nëpërmjet jush t’i bëj thirrje Bashkisë që në rastin e parë të mbledhë urgjent Këshillin Bashkiak, të na rikthejë detyrimet që ne kemi paguar për këta dhe për të tretët”, tha Idrizi.
Top Channel