Lulzim Basha zgjodhi Kavajën për të nisur turin, me të cilin po u paraprin protestave që opozita ka paralajmëruar për në shkurt.

“Ngrihemi për t’i dhënë fund një shteti grabitqar dhe për të ndërtuar një tjetër kontratë sociale. Më 16 shkurt, shqiptarët dhe të rinjtë prishin kontratën me Ramën”, tha Basha.

Pesë muaj para zgjedhjeve lokale, miratimi i Reformës Zgjedhore duket mision i pamundur, ndërsa opozita synon të rrëzojë Edi Ramën me protesta.

“Keni dëgjuar të flasin për Reformën Zgjedhore, e cila është një copë letre pa pikë vlere, pa dekriminalizimin e zgjedhjeve?”, pyeti më tej Basha.

Basha akuzoi Ramën se po i mbyll Shqipërisë dyert e BE-së, ndërsa u zotua se kur demokratët të vijnë në pushtet do ta bëjnë realitet vettingun e politikanëve.

“Pa çliruar Parlamentin nga politikanët e lidhur me krimin, pa i dhënë fund një politike të marrë peng nga krimi, nuk hapen dyer e Europës”, tha Basha.

Turin e takimeve, kryedemokrati e nisi me të rinjtë, për të cilët kishte një premtim.

“Ne do ta abrogojmë ligjin për Arsimin e Lartë, si një ligj korruptiv. Puna do të nisë me studentë e pedagogë për një ligj të standardeve europiane”, premtoi Basha.

Në takimin e mbajtur në Pallatin e Kulturës, thirrja e fundit shkoi për protestën e 16 shkurtit.

“Ta rrethojmë tradhtinë, pashpirtësinë, hajdutërinë. T’u tregojmë shqiptarëve dhe Europës me bashkimin tonë se, Edi Rama ka rënë dhe do të largohet një orë e më parë. Le ta marrim përpara të keqen më 16 shkurt. Ejani të gjithë së bashku. Forca e vërtetë nuk është e dhunës, por e bashkimit të qytetarëve”, u shpreh Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA