Teuta nuk ia doli të shfrytëzojë situatën e vështirë nëpër të cilën po kalon Flamurtari, pasi nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 në derbin e Adriatikut.
Pavarësisht problemeve financiare, që kanë provokuar largime të rëndësishme, Flamurtari u paraqit autoritar në “Niko Dovana” dhe gjeti golin e avantazhit që në minutën e 13′, pas një penalltie perfekte të ekzekutuar nga Batha.
Reagimi i Teutës ishte disi i vakët dhe djemtë e Shkëmbit dukeshin larg ditëve të tyre më të mira, por gjetën barazimin në minutën e 26′ me anë të Traore, në gjuajtjen e parë në kuadratin e Koliçit.
Minutat në vijim prodhuan lojë dhe ritëm, por durrsakët nuk ia dolën të gjejnë golin e fitores, edhe pse për më tepër se 30 minuta luajtën me një lojtar më tepër, pas kartonit të kuq të marrë nga Veliu për Flamurtarin.
Me këtë barazim, Teuta nuk shfrytëzon ndalesën e Kukësit dhe mbetet në vendin e tretë, por tashmë në kuotën e 34 pikëve, 6 më pak se Partizani kryesues.
Në sfidën tjetër të pasdites, Tirana fitoi me përmbysje, me rezultatin 4-1 ndaj Kamzës, një rivale direkte për mbijetesën.
Mi
Miqtë e drejtuar nga Ernest Gjoka e nisën mjaft mirë takimin në “Selman Stërmasi” dhe gjetën avantazhin me anë të kapitenit Sebino Plaku në minutën e 31-të.
Por tatëpjeta për kamzalinjtë filloi 10 minuta më vonë, ku Orjad Beqiri shkaktoi penallti dhe kontestoi gjatë vendimin e arbitrit, duke marrë edhe kartonin e dytë të verdhë dhe duke lënë skuadrën me 10 futbollistë.
Nga pika e 11-metërshit gjuajti anglezi Ngo’o, por goditja e tij u grushtua nga portieri Avdyli, duke bërë që Kamza ta mbyllte në avantazh 45-minutëshin e parë.
Tirana riktheu baraspeshën vetëm në minutën e 59, kur mesfushori shkodran Edon Hasani shënoi në portën e Avdylit, ndërsa më pas ishin Ngo’o, sërish Hasani dhe në fund Doka, që kompletuan triumfin e bardhebluve.
Me këtë fitore, Tirana mbetet në vendin e 7, por tashmë në kuotën e 20 pikëve, 3 më tepër se Luftëtari dhe 5 më tepër se Kamza, që e ndjekin nga pas.
Top Channel