Miratimi i Marrëveshjes së Prespës nga Greqia është përshëndetur në Shqipëri.

Presidenti Ilir Meta vlerëson se ajo është e rëndësishme për integrimin euro-atlantik të rajonit.

“Miratimi i Marrëveshjes së Prespës edhe nga Parlamenti grek është një lajm i shkëlqyer për marrëdhëniet dypalëshe me Maqedoninë e Veriut dhe për perspektivën europiane dhe euro-atlantike të rajonit tonë! Përgëzime për këtë arritje historike”, shkruan Meta në rrjetet sociale.

Kryeministri Edi Rama e quajti marrëveshjen historike.

“Sërish respekte dhe urime për Aleksis Tsipras dhe Zoran Zaev për marrëveshjen e tyre historike dhe dhënien fund të konfliktit mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut”, shkruan Rama në Twitter.

Edhe kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi përshëndeti votimin e Marrëveshjes së Prespës. Ai thotë se Greqia bëri një veprim kurajoz dhe kontribues për paqen. “Ballkani po çlirohet nga inercitë shekullore”, thotë ai.

Lideri i opozitës, Lulzim Basha, shkruan: “Përshendes ratifikimin e marrëveshjes së Prespës nga parlamenti helen që i hap rrugën anëtarësimit në NATO të Maqedonisë së Veriut dhe konsolidon bazat e bashkëpunimit për paqen dhe stabilitetin e rajonit”.

Ish ministri i jashtëm Ditmir Bushati tha se votimi i Marrëveshjes së Prespës nga parlamenti grek i jep fund konfliktit për emrin. Ai shton se ky është një moment historik për Ballkanin dhe Evropën.

Top Channel