Partizani fitoi përballjen kryesore të javës së 19 të kategorisë Superiore duke thelluar distancën me ndjekësit më të afërt. Në temperaturat e ulëta në qytetin e Korçës, skuadra kryeqytetase u imponua minimalisht 0-1 ndaj Skënderbeut, duke nxjerrë vendasit të paktën momentalisht, jashtë zonës së kupave europiane.
As koha për t’u mësuar me tapetin gjysmë të ngrirë nuk iu la korçarëve që vuajtën disavantazhin e hershëm me Esat Malën. Ky i fundit finalizoi në portën e Skënderbeut pas një topi që përshkoi të gjithë zonën vendase dhe çoi sfidën në shifrat 0-1. Partizani mund të thellonte epërsinë me Telushin por ky i fundit nuk e shfrytëzoi si duhet gafën e portierit.
Tifozët korçarë të pakënaqur me rezultatin, kërkuan ti mësojnë futbollistëve sesi goditet, dhe këtë e demonstruan me topat e borës që fluturonin nga shkallët e stadiumit dhe ndalën për pak caste lojën.
Në fraksionin e dytë arbitri Koçi u dyzua nëse duhej të jepte faull apo penallti për Partizanin. Vendosi përfundimisht goditjen nga pika e bardhë, por Telushi i thirrur nën armë, dështoi përballë portierit Teqja.
Në skajin tjetër Alban Hoxha nuk u rrezikua shumë nga vendasit dhe Demat e kuq administruan suksesin që i con në 6 pikë më shumë se vendi i dytë Kukësi.
Top Channel