Të paturit si tifoz presidentin autokrat Rexhep Taip Erdogan nuk e ka ndihmuar Fenerbahcen të evitojë një rënie të frikshme në elitën e futbollit turk dhe atij europian.
Skuadra që ka fituar më shumë tituj kampion në Turqi aktualisht lufton për qëndrimin në Superligë, ka një mal me borxhe e gjoba, si dhe përballet me damkën e rëndë të trukimeve që e ka katandisur si mos më keq reputacionin e saj të mirë të krijuar në dekada.
Fenerbahçe ka qenë një institucion sportiv në Turqi që pej vitit 1907 me garimin në 9 disiplina të ndryshme, por futbolli ka qenë guri më i çmuar në klubin nga Stambolli. Me të paktën 25 milionë tifozë në mbarë globin dhe lojtarë të shkëlqyer në harkun e historisë, tani situata aktuale është dramatike.
Një barazim 1-1 në fushën e Bursaspor i nxorri përkohësisht jashtë zonës së rënies, por në një fushë ku kryeqytetasit nuk diskutonin fitoren, tani u kënaqën me një pikë. Aksionet e Fenerbahces janë në rënie dhe kjo për shkak të borxhit të madh 550 milionë paund, por jo vetëm kaq.
Skandali i trukimeve që shpërtheu në 2013 ka lënë ende shenja dhe ekipi nga Stambolli nuk po rikuperon terren. Mjafton të përmendim për këtë, se vetëm 1 lojtar i Fenerbahces është angazhuar me kombëtaren në ndeshjet e fundit, dramatike për një klub ku përfaqësuesja turke kishte bazën e saj.
Top Channel