Drejtuesit e kampionatit francez të futbollit, Ligue 1, kanë gjobitur me 100 mijë euro ekipin e PSG-së, për shkak të neglizhencës së tyre në përpilimin e profilit të talenteve të reja në kërkim, që kishte si kriter edhe etnicitetin e tyre duke nisur nga viti 2013.
Ishte portali investigativ “Mediapart”, ai që zbuloi gjithçka në lidhje me kërkimin e talenteve të reja të Paris SG. Drejtuesit e kampionëve të Francës duket se do të merren në pyetje dhe nga Prokuroria në Paris, në lidhje me këtë çështje.
Por, sipas drejtuesve të ligës franceze, ky lloj profili nuk është aplikuar për racizëm nga ana e PSG-së.
“Nga të dhënat që kemi, mund të themi se PSG nuk i përdori informacionet e marra me synim diskriminimin racor. Kjo nuk mund të provohet”, tha komisioneri i Disiplinës në Federatën franceze të Futbollit, Sebastien Deneux. “Mund të themi që është më shumë një neglizhencë kolektive”, shtoi ai.
Kandidatët e rinj për të qenë pjesë e PSG-së u kategorizuan si franceze, afrikano-veriorë, apo afrikanë, një kategorizim ky që është i paligjshëm në Francë. Ndërkohë, vet klubi bëri të ditur në muajin tetor nisjen e një hetimi në lidhje me këtë çështje, për të kuptuar sesi mund të ekzistonin ende praktika të tilla, e për të vendosur masat që duhen marrë.
Top Channel