Ajo ka disa kohë që nuk merr më heroinë, e për të hequr dorë nga “droga e vdekjes” trajtohet me metadon.
“U martova me një përdorues heroine, nuk e dija që ai konsumonte. Pasi u bëmë me dy fëmijë, atëherë e mora vesh që ai pinte heroinë. Zihesha dhe më dhunonte pasi nuk sillte parà në shtëpi, rrihte fëmijët edhe mua. Me dhunë ma mësoi edhe mua, duke më detyruar ta pija herë pas here, derisa m’u krijua varësia”, thotë një e varur nga droga në rehabilitim.
Sot, nga pamundësia për t’i mbajtur, dy vajzat e saj janë strehuar në Shtëpinë e Fëmijës, ndërsa një mesazh ka edhe për të rinjtë.
“Mos ta provojnë asnjëherë, sepse është një valle që po i hyre, është shumë e vështirë të dalësh. Edhe nëse ata do të duan ta lenë, nuk të lë ajo, sikurse të vret edhe opinioni”, rrëfen më tej ish-përdoruesja.
Edhe një tjetër ish-përdorues heroine është braktisur nga familja, e për këtë bën përgjegjës rrugën e drogës.
“Jetoj vetëm, kam kohë që nuk rri me familjen si të gjithë të tjerët. Ata s’kanë faj, se i mërzisim përditë duke iu kërkuar parà. Edhe ata s’kanë ku t’i gjejnë lekët”, thotë ish-përdoruesi.
“Kemi shumë raste të rikthimit të personave në terapi, sikurse kemi pasur edhe raste që këta persona kanë shfaqur probleme të shëndetit mendor, e që po bëhen gjithnjë e më të shpeshta”, tha Genci Muçollari, shoqata “Aksion Plus”.
Organizatat që punojnë kundër përdorimit të lëndëve narkotike kërkojnë që shteti të ndërhyjë në forma të tjera për rehalibitimin e kësaj kategorie.
“Mirë mbaron terapia, por pastaj çfarë do të bëhet më tej me persona të tillë? Duke mos pasur mundësi punësimi apo riintegrimi, bëhet më e vështirë për rehabilitimin e tyre. Po punojmë me Bashkinë e Tiranës, apo edhe bashki të tjera, për të gjetur mundësi punësimi për ta, që të kenë një jetësë normale”, thotë më tej Muçollari.
Në Shqipëri mendohet se 7.000 deri në 8.000 persona janë përdorues të rregullt droge. Por, megjithëse një numër relativisht i lartë, kësaj kategorie u ofrohen shumë pak shërbime nga shteti. Si të mos mjaftonte kjo, edhe disa qendra rehabilitimi me donacione të huaja janë mbyllur, ndërsa vetëm një që funksionon në Shkodër, përballon shumë pak kërkesa.
Top Channel