Milani ka arritur të finalizojë një goditje të rëndësishme në merkaton e këtij dimri të futbollit europian, duke vendosur nën kontratë një sulmues që zëvendëson denjësisht Gonzalo Higuainin.
Klubi kuqezi arriti marrëveshjen me Genoan për të marrë “bomberin” polak Krzysztof Piątek, një lojtar që konsiderohet si pasardhësi i Leëandoëskit, e që do të garantojë forcën e duhur në sulm për gjysmën e mbetur të sezonit.
Plot 35 milionë euro do të paguajë Milani për shërbimet e lojtarit, në pronësi të klubit nga Liguria, përveç bonuseve në varësi të paraqitjeve dhe arritjeve të skuadrës.
Kundërpeshat teknike që kishte propozuar ekipi milanez ranë poshtë, e Genoa pranoi vetëm parà për të lënë të lirë polakun. Bertolacci ishte ofruar për të ulur disi peshën e sforcimit financiar, por ky opsion “perëndoi” shpejt.
Krzysztof Piątek arriti një akord për 5 sezone me Milanin dhe do të paguhet 2 milionë euro në vit. Genoa e mori lojtarin në verën e vitit 2018, e deri në gjysmën e kampionatit ka shënuar 13 gola.
Si për ironi të fatit, sulmuesi polak mungoi për arsye skualifikimi në ndeshjen e së hënës, mes Genoas dhe Milanit, e jo për motive të tjera, siç preferoi të bënte Higuain që do të shkojë te Chelsea.
Top Channel