Partizani dhe Skënderbeu fituan përballjet e tyre respektive në Kupën e Shqipërisë, ndaj rivalëve modestë, të cilët duke parë mungesën e kualiteteve në skuadër, synuan të pengonin pretendentët përmes kushteve të mjerueshme të fushave të futbollit.
“Demat e kuq” u imponuan 4-2 ndaj Kastriotit, në përballjen e zhvilluar në Fushë Krujë, në një tapet që i përngjau një moçali dhe në kontrast të plotë me stërvitjen e këtij dimri në Antalia.
Në terrenin e rënduar, sfida nisi me vonesë, madje ishin krutanët që morën epërsinë me Vatnikajn. Por, Partizani arriti të barazojë, e madje të përmbysë rezultatin, me anë të Hebajt dhe Mensah brenda pjesës së parë.
Trashi krijoi një avantazh komod për miqtë, përpara se Shehu të ngushtonte për Kastriotin, ndërsa Hebaj vulosi suksesin që hipotekon kualifikimin e Partizanit në Kupën e Shqipërisë.
Në një fushë të mjerueshme u impenjua edhe Skënderbeu, që fitoi 2-1 ndaj Besëlidhjes në Lezhë.
Xhon dhe Gripshi ishin autorët e golave për formacionin korçar, ndërsa Kamara barazoi përkohësisht për vendasit. Sfidat e kthimit do të zhvillohen pas dy javësh.
Top Channel