Qeveria do të ndalojë koncesionet e pakërkuara për ndërtimin apo mirëmbajtjen e rrugëve duke filluar që nga data 1 korrik e këtij viti. Këtë ndryshim deputetja e PD, Jorida Tabaku përmes një postimi në profilin e saj në Facebook shprehet se vjen si një justifikim para ndërkombëtarëve.
“Pasi shpërndanë PPP për mbi pesë vjet dhe pasi çdo institucion ndërkombëtarë shprehu pakënaqësitë për mënyrë e lehtë se si keqpërdoren paratë publike të vendit, qeveria dhe mazhoranca kanë vendosur që të ndryshojnë fasadën e koncesioneve duke propozuar një ligj që do të shërbejë për t’u justifikuar sërishmi përpara ndërkombëtarëve”, shkruan ajo.
Sipas saj qeveria është vendosur nën trysninë e denoncimeve te opozitës dhe institucioneve ndërkombëtare për abuzimet me tenderat dhe PPP-të. FMN, Banka Botërore e deri raportet e DASH, drejtojnë gishtin nga procedurat korruptive që qeveria kryen për PPP-të dhe tenderat.
“Këto procedura, siç edhe raportet vërejnë dhe nënvizojnë, kryhen si pasojë e mosrespektimit të ligjit nga ana e funksionarëve të shtetit dhe administrata”, shkruan Tabaku.
Më tej ajo ngre edhe disa pyetje: Përse u dhanë inceneratorët në kundërshtim me ligjin? Përse u kalua ligji special për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës (që ende është në pikëpyetje dhe ne si deputetë nuk kemi asnjë informacion) kur ligji ishte i qartë? Përse shumë e shumë PPP të tjera kanë kaluar me ligje specifike, si fjala vjen ligji për prishjen e Teatrit Kombëtar?
“Siç edhe kuptohet lehtësisht nuk ka qenë ligji problemi i qeverisë, pasi ligjet zbatohen nga funksionarët dhe nëpunësit e shtetit. Jam shumë e bindur që një nëpunës serioz dhe një ministri e pakapur nga oligarkët nuk do të kalonte ofertën për Unazën në projektin e zonës së Astirit. Pra, nuk qenka ligji ai që pengon një qeveri të zbatojë kriteret e duhura për të kryer një garë të barabartë. Por është fryma dhe qëllimi politik që udhëheq zbatimin apo jo të ligjit. Siç edhe është lehtësisht e kuptueshme dhe botërisht e ditur, qeveria nuk ka synim të respektojë ligjin dhe ligjet. Bërthama e saj është e kalbur dhe synon të vazhdojë të njëjtën rrugë pasi ajo ushqehet nga një burim që ka nevojë për PPP-të dhe koncesionet”, shkruan Tabaku.
Sipas saj ky ndryshim ligjor vjen mbasi kane koncesionuar cdo aks rrugor me programin e 1 mld qe tashme ka shkuar 2,2 mld e mbasi kane vendosur financat publike ne rrezik me rritjen e borxhit me 12 përqind vetëm nga këto kontrata.
“Të gjjtha ato janë abuzive, të pabazuara në studime, korruptive e me kosto të fryra dhe do të analizohen një për një duke çuar para drejtësise këdo që ka abuzuar me fondet publike.Platforma antikorrupsion do të çlirojë ekonominë nga kjo barrë e rëndë dhe buxhetin e shtetit nga kostot e qokave nëformë PPP-je. Investimet reale në infrastrukturë, arsim e shëndetësi do të bëjnë të mundur që Shqipëria të vazhdojë të zhvillohet si gjithë rajoni”, përfundon statusi i deputetes Jorida Tabaku.
Top Channel