Në seancën e parë të sesionit të ri parlamentar, që nisi këtë të hënë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha foli mbi atë që quajti projekt që asgjësoi çdo institucion demokratik, e që asgjësoi të drejtën e votës, si e drejtë elementare në demokraci.

“Sot kjo sallë nuk përfaqëson interesin publik, sepse ata që kanë forcën e kartonave, e morën atë përmes forcës së krimit dhe sot e kësaj dite mbrojnë vetëm krimin. Ky Kuvend përfaqëson sot antivlerën e ngritur në piedestal, hajdutërinë e përzierë me arrogancën. U asgjësua Gjykata Kushtetuese, këtu nga kjo sallë u asgjësua edhe Prokuroria, e tani erdhi radha edhe e Partisë Socialiste. Sot qeveris vetëm një grup kriminelësh, sot ministrat apo deputetët nuk janë përfaqësues as të popullit dhe as të PS-së. Sot ka vetëm një pushtet personal të Edi Ramës”, tha Basha.

Menjëherë më pas, Basha nisi të sulmonte pjesëtarët e rinj të kabinetit qeveritar, duke kthyer gishtin nga njëri a tjetri, e duke pyetur të gjithë në sallë nëse i njihte njeri ato emra, çfarë kishin bërë dhe çfarë përfaqësojnë.

Reagoi menjëherë edhe kryeministri Rama, në mbrojtje të anëtarëve të kabinetit, duke i thënë Bashës se, edhe ai nuk ishte askushi kur erdhi dhe u emërua në poste publike.

“Vendi është sot në emergjencë kombëtare dhe faturën për çdo zhvatje deri më sot e paguajnë studentët. Nuk ka lek për të ulur tarifat, ndërkohë që del dikush edhe thotë se do t’ia marrë koncesionit Kashar-Thumanë. Por ai koncesion duhej anuluar dhe duhen çuar për ndjekje penale të gjithë ata që e kanë bërë”, tha më tej Basha.

Në përfundim të fjalës së tij, deputetët e opozitës kanë braktisur sallën e Kuvendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA