Cesc Fabregas është prezantuar si futbollisti më i ri i Monacos, ku ai do të punojë me një personalitet të cilin e njeh mjaft mirë, Thierry Henry, që është trajneri i tij i ri.
Transferimi i mesfushorit spanjoll në drejtim të klubit nga Principata u zyrtarizua javën e kaluar, me Fabregas që i dha fund aventurës së tij 13-vjeçare në Premier League, për të bërë debutimin e tij me skuadrën e Monacos në ndeshjen e së dielës ndaj Marseille.
Futbollisti 31-vjeçar, që ka luajtur edhe me Barcelonën, kaloi te Monaco për shifrën e 10 milionë eurove, duke firmosur me këtë klub një kontratë për 3 vite e gjysmë. Fabregas mori vendimin e tij për të lënë skuadrën e Chelseat, pasi trajneri Sarri nuk po e aktivizonte shumë, gjë që ia lehtësoi edhe më shumë gjërat.
“Përpara 3 muajsh nuk e mendoja largimin nga Chelsea, por rrethanat e krijuara më ndihmuan shumë në këtë pikë”, tha Fabregas në konferencën për shtyp, me rastin e prezantimit të tij. “Po luaja gjithnjë e më pak. Në fillim ishte një surprizë për mua, por në fund mora këtë vendim, duke u konsultuar edhe më familjen time. Është gjëja më e mirë për të ardhmen time”, tha më tej ai.
Përveç Fabregas, Monaco prezantoi edhe 3 blerje të tjera për merkaton e janarit; mbrojtësit Naldo dhe Ballo-Toure, si dhe mesfushorin Vaienqueur, me këtë të fundit që erdhi nga Antalyaspor në formë huazimi.
Top Channel