Shqipëria nuk është i vemti vend që përballet me këtë fenomen. Në Gjermani, që është edhe shteti më i fuqishëm europian, kanë dhënë dorëheqjen 2 ministra pasi janë zbuluar me plagjiaturë në punimet e tyre shkencore.

Në mars të vitit 2011 dha dorëheqjen ministri gjerman i Mbrojtjes, Gutenberg dhe në shkurt të 2013-s u dorëhoq Ministrja e Arsimit Annette Schavan, mike e ngushtë me Angela Merkel. Të dy këta ministra u zbuluan me informacione të kopjuara në tezat e tyre të doktoraturës.

“Bota e ka treguar standartin. Jep dorëheqjen. Dhe nuk mund të jesh më pedagog. Ose të hiqet titulli akademik në universitetet ku ti jep mësim”, tha Taulant Muka, studiues.

Zoti Gjinushi është edhe një nga anëtarët e komisionit në Akademinë e Shkencave që ka hartuar draftin e ri ligjor i cili pritet që t’i japë fund plagjiaturave. Ai tregon për Top Story mënyrën sesi do të kontrollohen të gjitha plagjiaturat shkencore.

“Janë këshillat e Etikës që ka çdo shkollë e lartë. Pastaj çështja vjen në komisionin epror. Komision me 7-9 anëtarë pranë Akademisë së Shkencave. Ka përfaqësues edhe ministria, edhe shkollat e larta, edhe Akademia. Komisioni ka kompetencë që të nisi kontrollet edhe me iniciativën e tijë. Por gjithmonë iniciativa është se ka një denoncim. Jo patjetër kërkesa vjen tek ty. Mund të jetë publike dhe ti e merr. Siç i kërkojmë shpesh herë prokurorisë pse nuk heton këtë apo atë gjë”, tha Skënder Gjinushi.

Ligji parashikon dënime financiare për shkeljet e lehta siç janë mosdhënia e plotë e një reference apo një citimi. Por në rastet e shkeljeve të rënda si plagjiatura apo fabrikimi i një teze mund të humbësh edhe titullin akademik dhe mundësinë për të qenë pedagog.

Por, në një kohë që ligji pritet të shkojë në Parlament, sërish ka probleme. Kjo sepse janë po ata deputetë ngelës të cilët do të votojnë një ligj që do të shfuqizojë doktoraturat e tyre.

Dhe në fund Top story mbyll filmin me një thënie të filozofit Sokrati. Ai ka shkruar se: “Padija është zanafilla e të gjitha të këqiave”.

Pikërisht, ne sot jetojmë në një kohë me probleme të shumta që vijnë nga padija e atyre që na udhëheqin.

Top Channel