Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka thënë se procesi i punësimeve në Drejtorinë e Burgjeve ka qenë i hapur dhe transparent, duke hedhur poshtë denoncimin e publikuar nga “Zëri i Amerikës” ditën e djeshme.

Në një konferencë të posaçme për shtyp, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka hedhur poshtë ato që i quan akuza të artikuluara një ditë më parë nga “Zëri i Amerikës” dhe më pas nga dy partitë e opozitës, lidhur me rekrutimet e punonjësve të policisë së burgjeve.

Duke vënë në dispozicion të mediave dhe publikut dosjen e plotë të rekrutimeve dhe të urdhrave të emërimit dhe çdo dosje të personave të cilët janë emëruar në sistemin e burgjeve, ministrja forcoi replikën e saj, se emërimet jo vetëm që nuk janë partiake dhe joligjore, por për herë të parë në Prill të 2018-ës është shënuar një proces meritokratik i përzgjedhjes së punonjësve në policinë e Burgjeve.

“Për herë të parë testimi dhe trajnimi i punonjësve të rinj të Policisë së Burgjeve, nuk është kryer vetëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, por në bashkëpunim të ngushtë me Akademinë e Sigurisë, sipas normimit, rregullave dhe procedurave të akteve të të brendshme në bashkëpunim me Akademinë e Sigurisë. Proçesi ka qenë tërësisht transparent dhe i hapur për të gjithë qytetarët e interesuar. Dhe këtë e vërteton dhe thirrja për pjesëmarrje e cila është publikuar në datën 23 Mars 2018 në faqet zyrtare të internetit të Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve por njëkohësisht pasqyruar gjerësisht edhe në media”,- sqaroi ministrja.

Ministrja shprehu keqardhjen për akuzat e opozitës, të cilët sipas saj “janë mësuar me aplikimet e skemave të vjetra të funksionimit të punësimeve të militantëve partiakë, duke përgatitur listat në selitë e partisë të tyre si në rastin e rekrutimeve të IEVP Shkodër”. Gjonaj tha se kishte besim që shqiptarët do të dinin të bënin dallimin.

“Ne nuk jemi të përsosur, apo nuk kemi arritur ende në përsosmërinë e ngritjes së sistemeve të rekrutimit, kryesisht në sistemin penitenciar, ku u gjet një sistem i kalbur në mënyrën e administrimit, po tentojmë fort dhe kushdo e kupton, që po ndajmë shtetin nga partia dhe po promovohen njerëzit sipas meritës”, siguroi Gjonaj.

Sipas saj, Ministria e Drejtësisë është më shumë se e vendosur që pikërisht këtë praktikë të mirë të konkurseve meritokratike nëpërmjet sistemit të ndërtuar tashmë nëpërmjet Akademisë së sigurisë ta institucionalizojë me masa legjislative me qëllim krijimin e një trupe profesionale të policisë së burgjeve.

Top Channel