Etapa e 6 e “Rally Dakar”, Arequipa-San Juan de Marcona, 838 km e gjatë, ishte shumë e komplikuar për pilotët pjesëmarrës, por në fund ishin më të mirët që spikatën.

Në kategorinë e makinave ishte Sebastian Loeb, ai që fitoi këtë etapë pas një beteje të gjatë me rivalin e tij, Nasser Al Attiyah, që u rendit i dyti me 2 minuta e 17 sekonda më shumë sesa Loeb. Ndërsa në vendin e tretë u pozicionua spanjolli Carlos Sainz.

Për t’u theksuar është se Loeb dhe Al Attiyah gabuan në kilometrin e 272-të, megjithatë kjo nuk i pengoi të zënë dy vendet e para të etapës. Ai që pati probleme të mëdha ishte Stephane Peterhansel, i cili humbi 22 minuta mes dunave të Tanakës, duke e mbyllur etapën në vendin e nëntë.

Sa i përket renditjes së përgjithshme, në krye vazhdon të qëndrojë Nasser Al Attiyah, ndërkohë që Loeb është ngjitur në vendin e dytë me 37 minuta e 43 sekonda, me francezin që po vuan problemet e shfaqura në etapat e para, ku humbi shumë kohë, ndërsa në vendin e tretë ka zbritur Stephane Peterhansel.

Në kategorinë e motorëve, etapa e 6 u fitua nga Pablo Quintanilla, që ka marrë edhe kryesimin në klasifikimin e përgjithshëm. Piloti kilian e tregoi që në fillim se gëzonte një formë të shkëlqyer, por fitoren e etapës e vulosi përfundimisht në 127 km e fundit të saj, kur krijoi shkëputjen nga të tjerët.

I vetmi që i qëndroi më pranë Quintanillës ishte argjentinasi Kevin Benavides, që u rendit i dyti me 1 minutë e 52 sekonda më shumë, i ndjekur nga Matthias Walkner. Në renditjen e përgjithshme, Quintanilla kryesues ka krijuar një diferencë prej 4 minutash e 38 sekondash me amerikanin Brabec, në vendin e dytë, ndërsa i treti është australiani Toby Price.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA