NBA, Curry nuk përmbahet, Golden State mposht Dallasin

14/01/2019 10:01

Kur Stephen Curry vendos të japë maksimumin në parket, është e vështirë që ta ndalësh. Kjo ndodhi edhe në ndeshjen mes Golden State dhe Dallasit, me skuadrën kampione që fitoi 119-114 falë spektaklit të dhuruar nga ylli i saj, që e mbylli takimin me 48 pikë, 33 nga të cilat i shënoi me gjuajtjet nga distanca, përfshi këtu edhe gjuajtjen e kryer 42 sekonda nga fundi i ndeshjes.

Te Dallasi spikati i zakonshmi Luka Donçiç, me 26 pikë, 6 topa në tabelë dhe 5 asiste, por kjo nuk i mjaftoi skuadrës Mavericks që të ndalë vrullin e Warriors, pavarësisht përpjekjeve të mëdha që bëri.

Torontos iu deshën 58 minuta lojë për të mundur Washingtonin me rezultatin 140-138, që do të thotë se skuadra kanadeze e arkivoi këtë përballje në favorin e saj pas dy kohëve shtesë, pasi rivaliteti mes tyre ishte i madh, megjithëse dukej se gjithçka do të ishte e lehtë për Toronton, që në mesin e periodës së dytë arriti të krijojë një diferencë deri në 23 pikë.

Ai që mendoi të rikthejë Washingtonin në lojë ishte Bradley Beal, i cili bëri një paraqitje të jashtëzakonshmne duke e mbyllur ndeshjen me 43 pikë, 15 asiste dhe 11 topa në tabelë. Në krahun tjetër ishte Leonard, me 41 pikë të shënuara, ndërkohë që llogaritë e sfidës i mbylli përfundimisht Serge Ibaka, me një gjuajtje të saktë për 3 pikë, 13 sekonda nga fundi i shtesës së dytë të ndeshjes.

Los Angeles Lakers-Cleveland duhej të ishte ndeshja më e shumëpritur e sezonit, që do të vinte përballë sërish LeBron James kundër ish-skuadrës së tij. Por për ironi të fatit, “Mbreti” nuk zbriti në parket edhe në këtë përballje, pasi vazhdon të jetë i dëmtuar. Skuadra kaliforniane e ndieu sërish mungesën e tij.

Në “Staples Center”, ishte Cleveland që fitoi me rezultatin 101-95, duke e ndërprerë serinë e 12 humbjeve radhazi për të komplikuar edhe më shumë situatën e Lakers, sa i përket zonës së “play off”-eve.

Te Lakers, Kuzma e mbylli sfidën me 29 pikë e Ingram me 22. Te Cleveland Cedi Osman bëri një paraqitje të mirë, me 20 pikë. Një tjetër fakt që spikat është se pas 10 ndeshjeve pa LeBron James, bilanci i Los Angeles Lakers është 3 fitore dhe 7 humbje, duke rrezikuar seriozisht të humbasë vendin mes 8 më të mirëve të Konferencës së Perëndimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA