Një 27 vjeçar shqiptar është arrestuar në Egjio të Ahaias, në Greqi, pasi në automjetin e tij u gjet një sasi prej 53 kilogramësh lëndë narkotike, e dyshuar si kanabis sativa.
Sipas komunikatës për shtyp të policisë greke, 27-vjeçari po udhëtonte me automjetin e tij me targa greke, në aksin që lidh Janinën me Patrën, në kohën që një patrullë policie, i bëri shenjë që të ndalonte pasi, për automjetin në te cili udhetonte,ishte njoftuar se gjendej nje sasi droge me destinacion Athinën.
Por 27 vjeçari, emri i të cilit nuk bëhet publik, refuzoi të ndalonte dhe u largua në drejtim të Patras.
Menjëherë filloi ndjekja dhe policia mundi ta ndalojë trafikantin rreth 120 km më tej, në daljen e autostradës në vendin Egjio, pasi më parë ishin marrë masa për ta mbyllur tërësisht autostradën që lidh Patrën me Athinën.
Prej verifikimit, rezultoi se 27 vjeçari, ishte pjesë e një organizate shqiptare të trafikut të drogës.
Ai e kishte ngarkuar lëndën narkotike në zonën kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë në Delvinaqi. 27 vjeçari do të dërgohet në Gjykatë për masë sigurie, ndërsa lënda narkotike dhe automjeti i tij u sekuestruan.
Top Channel