Është mbyllur përkohësisht stacioni hekurudhor i udhëtarëve në Durrës.

Punimet për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza e atyre të larta nga shëtitorja bregdetare “Taulantia” deri në impiantin e përpunimit në Shënavlash aktualisht janë përqendruar në stacionin e trenit, i cili për një periudhë një mujore, që nga kjo fundjavë, do të jetë jashtë funksionit.

Deri në përfundim të tyre, Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave Shqiptare ka vendosur që të gjitha nisjet dhe mbërritjet e trenave të udhëtarëve të zhvendosen në stacionin e vogël hekurudhor të Shkozetit.

Burime nga kjo drejtori bënë të ditur për TCH se nuk do të ketë ndryshim në oraret e lëvizjes së trenave në drejtim të Elbasanit, Fierit, Shkodrës dhe Kasharit, ndërsa është vënë në dispozicion të udhëtarëve një furgon që mundëson lëvizjen e tyre nga Durrësi në drejtim të stacionit të Shkozetit dhe kthim.

Ndërkohë punimet që po kryhen janë pjesë e një investimi me vlerë 4.2 milion euro, kredi e Bankës Botërore, që pritet t’i japë zgjidhje përfundimtare dy problematikave mjaft të mprehta në qytetin bregdetar të Durrësit: derdhjes në det të ujërave të zeza te shëtitorja bregdetare dhe përmbytjeve që shkaktohen në rrugën “Skënderbej” dhe afër stacionit të trenit pas çdo rrebeshi shiu në qytet.

Top Channel