Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi i është përgjigjur deklaratës ironike te kryeministrit Edi Rama, të bërë mëngjesin e sotëm. Kryemadhi tha në deklaratën për mediat: “Po i përgjigjem psiqikut si doktoreshë që jam”.

Gjithashtu, kryetarja e LSI i kërkoi kryeprokurores Arta Marku që të hetojë falsifikimin e dokumenteve për Unazën e Re. Veç kësaj, Kryemadhi i kërkoi ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj që të tërheqë policinë që po dhunon studentët.

“I bëj thirrje Arta Markut dhe prokurores së Tiranës që kanë në tryezë dosjen e Unazës së Re që përveç se aferë korruptive nxori hapur se administrata falsifikon dokumente të nxjerra nga SHBA.

Prokuroria duhet të tregojë se si miliona euro po shkojnë në xhepin e Edi Ramës. I bëj thirrje gjithë kompanive apo dhe individëve që përfshihen në këtë korrupsion galopant të kenë kujdes, mos shkatërrojnë bizneset e tyre.

Unaza e Re është një nga mijëra aferat korruptive të Ramës. Ai mund t’i çonte ato para për studentët që sot dhunohen nga policë rrugaçë, që kanë marrë certifikatën e DSIK.

Këta policë harrojnë që paguhen me paratë e qytetarëve shqiptarë. Sjellja e tyre tregon që këta policë paguhen me paratë e drogës.

I bëj thirrjes Lleshajt si praktikant i kishës katolike që beson në Zot, të veprojë ndaj këtyre kriminelëve që dhunojnë fëmijët e shqiptarëve.

I bëj thirrje rektoratit dhe dekanatëve të bëjnë kujdes dhe mos bëjnë marrëveshje me Edi Ramën. Do të jeni viktimat e parë, e do përfundoni me pension social.

Pedagogët sot janë përballë një të sëmuri, një krimineli, i cili mbasi shkatërroi institucionet shqiptare, policinë e shtetit, gjykatat e prokurorinë, duhet të kuptojnë që sot do të shkatërrojë dhe universitetin”, deklaroi ajo.

Top Channel