Presidenti i Federatës Angleze të Futbollit, Greg Clark, për herë të parë ka vizituar Shqipërinë dhe Federatën Shqiptare të Futbollit.
Vizita e tij filloi nga zyrat e federatës ku ka vizituar fillimisht muzeun e futbollit shqiptar për të shkëmbyer disa momente biseda me presidentin e futbollit shqiptar Armand Duka pa praninë e mediave.
Vizita e zotit Clark vazhdoi më pas në “Shtëpinë e Futbollit” siç quhet ndryshe godina e ambienteve të reja të FSHF dhe fushave sportive të kombëtares, për t’u ndalur në fund tek Arena kombëtare.
Në këtë periudhë fushate për organet drejtuese të qeverisë së futbollit europian, presidenti Armand Duka po përpiqet për të siguruar mbështetjen maksimale për të një nga 8 vendet e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe Greg Clark e shpreh hapur mbështetjen e tij.
“Kam ardhur këtu që të mbështes presidentin tuaj pasi po bën një punë shumë të mirë për futbollin shqiptar në aspektin sportiv, por edhe në pjesën e investimeve ku shoh ndryshime të infrastrukturës. Erdha këtu që ta takoj, që të flas me të, të mësoj prej tij sepse unë kudo që shkoj kam diçka për të mësuar. Ne jemi gjithashtu mbështetës të tij në kandidimin e tij në UEFA sepse ai është një njeri që ka reputacion të mirë në Europë në saj të punës që ka bërë, për këtë arsye mendoj që është një kandidaturë e mirë”, u shpreh presidenti i federatës angleze të futbollit, Greg Clarck.
Një mbështetje që për presidentin Duka është mbi të gjitha një mbështetje për Shqipërinë se sa personale, nga një presidenti i vendit ku lindi futbolli.
Asambleja zgjedhore për organet drejtues të UEFA-s do të zhvillohet më 7 shkurt në Romë, ku veç anëtarëve të komitetit do të zgjidhet edhe Presidenti, ku aktuali Aleksandër Ceferin do të ketë një rikonfirmim duke qenë se nuk ka kandidat tjetër.
Top Channel