Policia e Las Vegas ka urdhëruar një test për të verifikuar ADN e Kristiano Ronaldos, futbollisti portugez që akuzohet për përdhunim në Shtetin e Nevadas në SHBA, një episod që pala akuzuese pretendon se ka ndodhur në vitin 2009.

Hetuesit amerikanë shpresojnë të krahasojnë rezultatet e analizave me gjurmët e ADN që janë marrë nga rrobat e vajzës që akuzon lojtarin e Juventus, për agresion seksual.

Ketrin Majorga, vajza e cila pretendon se është abuzuar nga Kristiano Ronaldo, ka kërkuar përmes avokatëve të saj që autoritetet italiane të kryejnë testet ndaj futbollistit luzitan. Rasti i abuzimeve të pretenduara u hap nga policia e Las Vegas në vjeshtën e vitit 2018, ndërsa vetë lojtari mohon me bindje të gjitha akuzat.

Sipas ekipit ligjor të Ketrin Majorga, e cila shihet në një video pak kohë para agresionit të pretenduar se qëndron me dëshirë në shoqërinë e Ronaldos, vajza është paguar 375 mijë dollarë për heshtjen e saj.

E menjëhershme ishte përgjigja e avokatëve të Ronaldos që e kanë cilësuar logjike, kërkesën për test ADN ndaj futbollistit të Juventus, ndërsa nënvizuan edhe njëherë se hedhin poshtë pretendimet e pavërteta të Ketrin Majorga për përdhunimin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA