Situata në Qarkun e Elbasanit vazhdon të jetë e rënduar, sidomos në Bashkinë e Librazhdit dhe atë të Prrenjasit. 8 km larg Librazhdit, trashësia e dëborës është rreth gjysmë metri. Rruga nga Stëbleva në drejtim të Peshkopisë është e bllokuar.

Reshjet e dëborës në Qarkun e Lezhës kanë sjellë një sërë problematikash. Në njësinë administrative Ungrej ka patur bllokim të 6 fshatrave si pasojë e rrugës së Kreshtës. Ndërsa në Kurbin, në fshatin Gallatë ka është bllokuar rruga nga trashësia e dëborës.

Në Shkodër është bllokuar Vermoshi dhe Thethi. Problematike është situata edhe në Pukë e Fushë-Arrëz, ku termometri ka zbritur disa gradë nën zero.

Në Korçë situata është përmirësuar ndjeshëm në orët e fundit si pasojë e rritjes së temperaturave. Të gjitha akset kanë përmirësim dhe është lehtësuar qarkullimi i mjeteve. Problematike mbeten zonat e thella malore.

Edhe pse ka nisur shiu, qarkullimi në lagjet e sipërme të Gjirokastrës vazhdon të jetë problematike. Mjetet e kanë të vështirë, por edhe qytetarëve u rekomandohet mos të dalin për shkak të terrenit të rrëshqitshëm.

Top Channel