Ndonëse të gjithë pallatet e reja kanë tanimë një administrator më problem janë pallatet e vjetra të cilët mesa duket e kanë të vështirë të zgjedhin administratorin e tyre dhe t’i përgjigjen detyrimeve prej të cilave përfitojnë shërbim.
Kryetari i bashkisë së Tiranës ka inspektuar një pallat në Tiranë, i cili është rikonstruktuar falë fondit të komunitet, projektit të bashkisë për të rikonstruktuar pallatet duke u dhënë gjysmën e fondit, ndërsa pjesën tjetër e paguajnë banorët.
“Jam shumë krenar për banorët e këtij pallati. Dikush mund të thotë: ç’punë ka kryetari i bashkisë me një pallat, Tirana ka 5 mijë pallate. Çështja është se po nuk dhamë një model, nuk kemi se si ta kopjojmë këtë që ka ndodhur me këtë pallat, në 5 mijë pallatet e tjerët të qytetit. Do të thotë, se me pak mukajet dhe bashkëpunim nga 22 familje, duke dhënë gjysmën ata dhe gjysmën bashkia, me Fondin e Komuniteteve, mund ta kthejmë një ndërtesë të degraduar 20-vjeçare me standarde të ndërtimit të rrumpallës të viteve ’90, në një shtëpi në mes të Bllokut, vlera e së cilës shkon në 2 mijë euro metri katror”, u shpreh kryebashkiaku.
Por për të përfituar fonde nga Bashkia për fasadën pallatit duhet të aplikojë administratori.
“Ftesa ime për banorët dhe duarartët e tjerë që duan të imitojnë atë që ndodhi me banorët në rrugën “Çajupi”, është të aplikojnë pranë bashkisë. Gjysmën e fondit Bashkia, gjysmën e fondit banorët, arrijmë t’i shtojmë deri në 30% vlerën pallatit. Siç e thanë edhe banorët, për 2-3 vjet, edhe investimi i tyre, vetëm prej veshjes me kapotë, kursen shpenzimet për energji.
Përveçse objekteve ku banojnë qytetarë të Tiranës një pjesë e fondeve këtë vit do të shkojë për rikonstruksionin e godinave të Qytetit Studenti.
Top Channel