Kartat e identitetit dhe pasaportat të cilat janë prodhuar në vitin 2009 skadojnë këtë fillim viti të ri, pasi është përmbushur afati 10-vjeçar i vlefshmërisë. Për të riaplikuar, fillimisht duhet të merrni kuponin pranë zyrës postare dhe më pas ta dorëzoni atë pranë zyrës së Gjendjes Civile, si dhe të dorëzoni letërnjoftimin e skaduar. Duhet të prisni dy javë për të marrë letërnjoftimin e ri. Megjithatë, radhët e sorollatjet në këto institucione janë të pashmangshme.

“Kam ardhur herë të tjera ka pasur rradhë e skam bërë gjë, prandaj erdha prapë tani”, thotë një qytetar.

“Duhet të shkosh në 70 institucione që të mbarosh punë”, shprehet një tjetër.

Shkak i radhëve në sportele, veç numrit të shumtë të aplikantëve që riaplikojnë, bëhet edhe braktisja e vendit të punës nga punonjëset.

“Duke pritur në radhë, por zonja na e preu rreshtin përgjysmë dhe iku. Edhe ne ishim tre veta në rresht, bëri njërin, ne të dyve na la në pritje. Edhe e la sportelin bosh, iku”, thekson një qytetar.

Për shtetasit madhorë mbi 16 vjeç, para se të shkojnë pranë njësive bashkiake për procedimin e riaplikimit të pasaportës, duhet të kenë me vete dy fotografi, fotokopje të kartës ID, të kuponit dhe të pasaportës së mëparshme si dhe certifikatë personale. Skadimi i 1.4 milionë letërnjoftimeve ka nxjerrë në pah edhe problemin e mosfunksionimit të shërbimit online e-albania.

Ndërkohë që emigrantët mund të shmangin konfuzionin në zyrat shqiptare dhe t’i marrin dokumentet e reja pranë ambasadave dhe konsullatave të Shqipërisë në vendin ku ata jetojnë.

Top Channel