Vettingu ka detyruar këtë të martë të ulet në “karrigen e nxehtë” përpara trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, kryetarin e Gjykatës së Shkodrës, Arben Zefi.

Trupa e komisionerëve përbëhet nga Fildes Shuli, Etleda Çiftja dhe Roland Ilia. Sa i përket relatimit të KPK-së, Zefi ka qenë bashkëpunues gjatë hetimit administrativ.

Raporti i ILDKPKI-së, ndërkohë, thotë se ka deklarim të saktë, burime financiare të ligjshme dhe nuk ka fshehje apo deklarim të rremë.

Megjithatë, në deklaratat e vettingut nuk është dhënë vlera e mjeteve të disponuara prej tij. Gjithashtu, subjekti nuk ka deklaruar dhënien e shumës prej 50 mijë eurosh një shoqërie dhe përfitimin e pasurive të paluajtshme prej saj.

KPK konstaton se subjekti ka deklarim të pamjaftueshëm lidhur me shoqërinë tregtare SMO. Ai ka qenë në konflikt interesi, pasi ka shqyrtuar një padi të shoqërisë SMO teksa ishte në marrëdhënie kontraktore me të. KPK ka verifikuar gjithashtu se subjekti Arben Zefi ka kontakte të papërshtatshme dhe është përfshirë në afera korruptive.

Edhe raporti i DSIK-së thotë se disponohen të dhënat ku subjekti përfshihet në korrupsion pasiv si gjyqtar në disa procese në Shkodër, si dhe ka kontakte me persona të papërshtatshëm. Ai dyshohet se është përfshirë në përpjekjen e lirimit të një personi kundrejt një shume financiare.

DSIK-ja vlerëson në fund se ai është i papërshtatshëm për sistemin.

Top Channel