Protesta e studentëve vijon në ditën e dytë të saj pas rikthimit nga festat, kohë që ia lanë kryeministrit Rama për të përmbushur kërkesat e tyre, si dhe kërkojnë rrëzimin e ligjit të Arsimit të Lartë. Veçse sot studentët kanë zgjedhur mënyra të ndryshme protestimi.

Para Kryeministrisë qëndruan një numër i paktë studentësh, të shoqëruar edhe nga qytetarë.

“Këto kërkesa janë jetike, dalim nga nevoja këtu, jo nga qejfi. Do të paguajmë një milion e gjysmë (150 mijë lekë) e realisht nuk i kemi”, tha një studente.

“Me ato vendime, kryeministri nuk ka plotësuar asgjë. As përjashtimin e tarifave, sepse përjashtoi vetëm një cikël studimesh, Bachelorin. Ato janë vendime të cekta dhe janë VKM, kur duhet të jenë amendamente në Parlament”, tha një tjetër student.

Ndërsa në Universitetin Politeknik, studentët janë ndarë në grupe, pasi një pjesë e tyre kanë zgjedhur të rikthehen në auditore nga frika e humbjes së vitit.

“Fakulteti ynë është përgjithësisht në bojkot. Numri i studentëve që janë në mësim është i papërfillshëm, pasi FIN dhe FAU kanë 3.500 studentë, ndërsa në mësim janë 50-60. Vet bojkoti është formë proteste, pavarësisht se nuk jemi paraqitur para Kryeministrisë për shkak të numrit të studentëve, siç duket kanë vendosur të qëndrojnë në shtëpitë e tyre”, tha një student arkitekture.

Ndërsa në Fakultetin e Mjekësisë, sallat e leksioneve nuk janë më bosh.

“Atëherë, Fakulteti i Mjekësisë po zhvillon mësimin rregullisht, por protesta do të vazhdojë normal”, thotë një prej tyre.

“Ne nuk kemi zgjedhur të mos bojkotojmë mësimin, është zgjedhur për ne”, tha një tjetër.

Kyçja e dyerve të Universitetit Bujqësor ka qënë forma tjetër e protestës, për të mos lejuar fillimin e mësimit. Ndërkohë, studentët e të gjithë universiteteve kanë dërguar pranë Administratës një kërkesë për të mos u pezulluar nga viti shkollor, pasi – siç thonë ata, – ka pasur presione.

Top Channel