Vitet ndërrohen, por problematika në Gjykatën e Tiranës mbetet e njëjta. Ngarkesë mbi çdo logjikë, jo vetëm juridike, por edhe matematikore.

Plot 45 gjyqtarë të Dhomës Civile të Gjykatës së Tiranës kanë shqyrtuar gjatë vitit 2018 rreth 24 mijë çështje gjyqësore, shifra këto që minimalisht nuk japin një drejtësi në kohën e duhur.

Pikërisht kjo ngarkesë është arsyeja kryesore, në radhë të parë e vonesave në gjykim, e në radhë të dytë edhe të mijëra çështjeve që barten për vitin e ri 2019.

Gjatë këtij viti që sapo ka filluar, Dhoma Civile e Gjykatës së Tiranës ka bartur mbi 5.000 çështje, të cilat nuk janë mundur të gjykohen gjatë viti të kaluar. Ndërsa mbi 8.000 çështje të tjera e kanë pasur kohëzgjatjen e gjykimit në mbi 6 muaj kalendarikë.

Por, këto vonesa japin edhe efekte domino, në mënyrë të veçantë te personat që duan të ankimojnë vendimet. Kjo, pasi gjyqtarët vonojnë zbardhjen e vendimeve për shkak të ngarkesës, e për rrjedhojë palëve të pakënaqura me vendimin u rrezikohen afatet e apelimit.

Ndërkohë, gjatë vitit të kaluar, numrin më të madh të padive në Dhomën Civile të Gjykatës së Tiranës e kanë pasur ato për zgjidhje martese, me 2.100 të tilla; të ndjekura me paditë për marrëdhënie pune, me 1.500; si dhe ato për shkaktim dëmi, me 1.274.

Sfida kryesore e viti 2019 për Dhomën Civile të Gjykatës së Tiranës do të jetë rritja e numrit të gjyqtarëve, nevojë e cila tashmë është më e realizueshme, pas ngritjes edhe të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit.

Top Channel