Viti 2018, sipas Partisë Demokratike ishte një nga më negativët e qeverisjes “Rama”, për sa i përket ekonomisë. Selia blu nënvizon numrat e bizneseve të falimentuara.

“15.340 bizneset e mbyllura në një vit janë të qytetarëve të zakonshëm, sipërmarrës të vegjël e të mesëm, që e kanë ulur qepenin nga taksat dhe tarifat lokale të rritura 2-3 herë, nga energjia 30% më e shtrenjtë, nga fatura e ujit 44% më e shtrenjtë! 2018-a është edhe më keq sesa një vit më parë. Mbi 15 mijë biznese të falimentuara do të thotë 62% biznese të mbyllura më shumë se një vit më parë. Janë mbi 15 mijë familje shqiptare që nuk i kanë mbijetuar gjobave të taksidarëve, që nuk i kanë mbijetuar skemës dërrmuese të TVSH-së”, tha Dorian Teliti.

Demokratët gjykojnë se, edhe 2019-a nuk do të jetë i lehtë për bizneset, për shkak të politikave të qeverisë.

“Prej 1 janarit ka hyrë në fuqi vendimi i qeverisë për të mbidyfishuar taksën e pronës. Çdo biznes që nuk e ka ulur ende qepenin, do të paguajë 2-4 herë më shtrenjtë për vendin ku ushtron aktivitetin e tij. Nëse qeveria nis zbatimin e koncesionit të kasave të reja fiskale, çdo biznesi i duhet të paguajë 600-1.000 euro të tjera për të zëvendësuar sistemin, nëpërmjet të cilit do të transmetojë në qendër çdo veprim në dyqanin e tij”, tha më tej Dorian Teliti.

Ulja e taksave në 9%, anulimi i koncesioneve korruptive dhe përjashtimi nga skema e TVSH-së për bizneset me xhiro deri në 120 milionë lekë, janë pjesë e planit përmes të cilit PD-ja thotë se do të rimëkëmbë ekonominë.

Top Channel