Përmes një videoje të publikuar për mediet, Policia Rrugore e Tiranës tregon se numri i shkeljeve të konstatuara në rrugët e kryeqytetit mbetet i lartë, e për rrjedhojë edhe rreziku për t’u përfshirë në një aksident.
Në video shfaqen disa shkelës të rregullave të Qarkullimit Rrugor, që në moszbatim të semaforit të kuq vijojnë rrugën e tyre edhe kur ka vija të bardha këmbësorësh.
Por, teksa evidenton një për një shkelësit dhe gjobat që ka ndërmarrë ndaj tyre, policia thekson se masat administrative të vendosura nuk kanë për qëllim dëmtimin apo ndëshkimin e shkelësve, por parandalimin e pasojave që mund të vijnë si rezultat i shkeljeve dhe për rritjen e sigurisë në rrugë.
Policia Rrugore e Tiranës bën thirrje për më shumë sensibilizim për respektimin e sinjalistikës rrugore, për mospërdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit, për respektimin e përparësisë ndaj këmbësorëve etj.
Patrullimet e Rrugorëve do të vijojnë, e po ashtu edhe monitorimet me përzgjedhje, ndërkohë që kërkon bashkëpunimin e shqiptarëve, pasi e konsideron sigurinë rrugore një sfidë të përbashkët.
Top Channel